Kontakti

ADRESA:

Ndërtesa e Qeverisë
Kati VI, 605A
Sheshi:Nëna Terezë p.n
10 000 Prishtinë,Kosovë
Tel:+381 38 200 14 448
[email protected]

Foto galeria

Fakte të shkurtëra

Gjuhët zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.

- Gjuha e cilitdo komunitet që përbën pesë (5) për qind të popullsisë së përgjithshme në ndonjë komunë do të ketë statusin e gjuhës zyrtare.

- Gjuha e çdo komuniteti që përbën tre (3) ose më shumë për qind të popullatës së përgjithshme në një komunë ose është folur tradicionalisht në një komunë mund të përdoret si gjuhë në përdorim zyrtar.

- Në komunën e Prizrenit, gjuha turke ka statusin e gjuhës zyrtare, si gjuhë tradicionale.

Promovimi i të drejtave gjuhësore në Kosovë

15.10.2014

Tung, zdravo, merhaba, hello! Janë këto përshëndetjet në gjuhën shqipe, serbe, turke, rome, boshnjake dhe shumë gjuhë tjera që do të dëgjoni gjatë shëtitjes së mesditës në qendër të Prishtinës. Kjo ndodh tani, në vitin 2014. Në vitin 1999 gjendja nuk ka qenë e njëjtë. Të folurit e ndonjë gjuhe tjetër lokale përveq gjuhës shqipe në Prishtinë ka mundur të ketë pasoja të rënda.

Me 26 shtator 2014, në Ditën Evropriane të Gjuhëve, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët, kanë organizuar Panairin e parë të Gjuhëve në qendër të Prishtinës për të promovuar dhjetë gjuhë evropiane, duke përfshirë edhe pesë gjuhë që fliten në Kosovë: gjuhët shqipe, boshnjake, rome, serbe dhe turke.

Në vitin 1999, Kosova përjetoi një konflikt ndëretnik që la disa mijëra njerëz të vrarë, të dhunuar, të pagjetur dhe të zhvendosur. Raportet ndëretnike, kryesisht në mes të shqiptarëve dhe serbeve të Kosovës, u përkeqësuan. Kishte pak respekt për kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e njëri-tjetrit.

Rehabilitimi pas konfliktit në Kosovë, në të cilin Misioni i OSBE-së ka luajtur dhe akoma luan një rol të madh, ka sjellur një numër të madh të rezultateve pozitive. Respektimi i shtuar i të drejtave gjuhësore është njëri ndër ta.

Sigurimi i barazisë

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i miratuar në vitin 2006 i dha gjuhës shqipe dhe serbe status të barabartë si gjuhë zyrtare në Kosovë. Përveç këtyre dy gjuhëve zyrtare, ligji poashtu njeh edhe gjuhë tjera të folura nga më shumë se 3 përqind e popullatës në nivel komunal ose bazuar në traditë si zyrtare ose gjuhë në përdorim zyrtar. Sipas ligjit, në këto komuna shërbimet duhet të ofrohen në ato gjuhë nëse kërkohet.

Këto dispozita janë shumë të rëndësishme, pasi që mundësia e një komuniteti për të pasur qasje në shërbime dhe për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në gjuhën e tyre amtare është kyçe për pajtim, mbrojtje të të drejtave të komuniteteve, dhe ruajtje të identitetit. Por, ekzistimi i dispozitave ligjore nuk mjafton.

Komisioneri për Gjuhët

Në vitin 2007, pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin e Gjuhëve për të monitoruar zbatimin e këtij ligji. Por, ky mekanizëm kishte mungesë të buxhetit dhe stafit të përhershëm. Gjatë përkrahjes së qeverisë për reformën e politikave gjuhësore, Misioni ka avokuar për themelimin e një zyre të komisionerit për gjuhët, një institucion që do të kishte staf të përhershëm, resurse financiare dhe përkrahje politike për të monitoruar punën e institucioneve publike dhe për t’iu ndihmuar të punojnë në përputhje me dispozitat ligjore.

Zyra e Komisionerit për Gjuhët është themeluar në vitin 2012, dhe Slaviša Mladenović është emëruar Komisioner për Gjuhët.


Slaviša Mladenović (d), Komisioner për Gjuhët

Slaviša Mladenović është emëruar Komisioner për Gjuhët me 19 dhjetor 2012. Ai ka përfunduar studimet për ekonomi dhe menaxhment dhe ka ndjekur trajnime në fushën e zhvillimit të projekteve dhe marrëdhënieve me publikun. Para se të emërohej Komisioner, ai ka punuar për Misionin e OSBE-së në Kosovë. Përveç gjuhës amtare serbe, ai flet rrjedhshëm edhe gjuhen shqipe dhe angleze.

Pas themelimit të Zyres, janë mbajtur një sërë trajnimesh për stafin e saj, së bashku me fushata vetëdijësuese për ta informuar publikun për të drejtat e tyre gjuhësore dhe të drejtën e tyre për tu ankuar pranë Zyres së Komisionerit për Gjuhët nëse institucionet publike nuk respektojnë ligjin dhe nuk ofrojnë shërbimet e tyre në të gjitha gjuhët zyrtare.

I fundit në serinë e produkteve mediale për të promovuar të drejtat gjuhësore në Kosovë dhe rolin e Zyres së Komisionerit për Gjuhët është një film dokumentar 15 minutësh që do të transmetohet në RTK dhe do të shfaqet në insitucione dhe shkolla.



Përparimi është i dukshëm


Në vitin e parë të punës, Zyra ka pranuar gjithsej katër ankesa. Në vitin 2013, numri është rritur në dhjetë. Me fuqizimin e Zyres dhe promovimin e shtuar të saj, numri i ankesave në gjysmën e parë të vitit 2014 ka arritur në 46. Inkurajues është fakti se 36 prej tyre janë zgjidhur në favor të ankuesve.

Institucionet e Kosovës duan ta respektojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe t’i ofrojnë shërbimet e tyre në gjuhën shqipe, serbe e gjuhë tjera sipas nevojës, por ato thjesht nuk i kanë shkathtësitë gjuhësore ose resurset për ta bërë këtë, dhe problemi mbetet.
Slaviša Mladenović, Komisioner për Gjuhët


Ne mbështesim dhe avokojmë fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe besojmë se Zyra e Komisionerit për Gjuhët është mekanizmi i duhur për të siguruar se të drejtat gjuhësore mbrohen. Për këtë arsye ne kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë të përkrahim Zyren dhe Komisionerin.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger


“Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë institucionet dhe tu tërheqim vëmendjen për nevojën për të ofruar shërbime në të gjitha gjuhët zyrtare,” tha Mladenović.

Prapa