Kontakti

ADRESA:

Ndërtesa e Qeverisë
Kati VI, 605A
Sheshi:Nëna Terezë p.n
10 000 Prishtinë,Kosovë
Tel:+381 38 200 14 448
[email protected]

Foto galeria

Fakte të shkurtëra

Gjuhët zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.

- Gjuha e cilitdo komunitet që përbën pesë (5) për qind të popullsisë së përgjithshme në ndonjë komunë do të ketë statusin e gjuhës zyrtare.

- Gjuha e çdo komuniteti që përbën tre (3) ose më shumë për qind të popullatës së përgjithshme në një komunë ose është folur tradicionalisht në një komunë mund të përdoret si gjuhë në përdorim zyrtar.

- Në komunën e Prizrenit, gjuha turke ka statusin e gjuhës zyrtare, si gjuhë tradicionale.

Konferenca e pestë vjetore e Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve për gjuhët (ANKGJ)

18.05.2018

Nxitja e mësimit të gjuhëve zyrtare përmes arsimit: sfidat dhe mundësitë
Diskutim në Panel
Dukagjin Pupovci, Qendra për Arsim e Kosovës

Falënderoj organizatorin për ftesën në këtë panel.
Unë e quaj veten njohës të arsimit, por jo edhe ekspert të mësimit të gjuhëve. Megjithatë, dëshiroj ta ndaj me ju një përvojë personale e cila, shpresoj, më ndihmon ta përshkruaj kompleksitetin e mësimit të gjuhëve të mjedisit në këtë vend. Unë i takoj atyre gjeneratave që gjuhën serbo-kroate, si quhej në atë kohë, e kam mësuar si në shkollë, ashtu edhe në rrugë dhe nga mediat e asaj kohe.

Kur, në vitin 1981, i regjistrova studimet e matematikës në Universitetin e Prishtinës, më befasoi fakti se shumica dërrmuese e profesorëve rekomandonin literaturën në gjuhën ruse, e cila nuk ishte vështirë të gjindej. Botuesit sovjetikë, në vazhdimësi, publikonin libra cilësorë nga fusha e matematikës, madje edhe përkthenin në gjuhën ruse librat më të mirë nga gjuha angleze dhe, të gjitha këto libra, i shisnin në shtetet e bllokut socialist me çmime jashtëzakonisht të volitshme. Duke e njohur mirë gjuhën serbo-kroate, gjenerata ime nuk kemi pasur ndonjë vështirësi ta shfrytëzojmë literaturën në gjuhën ruse dhe kjo na ka ndihmuar shumë gjatë studimeve.

Katër vjet më vonë, kur fillova të punoj si mësimdhënës në Fakultetin e njëjtë ku i mbarova studimet, edhe unë vazhdova praktikën e profesorëve të mi, duke rekomanduar libra në gjuhën ruse dhe kjo praktikë vazhdoi deri në vitin 1991, kur u dëbuam nga hapësirat universitare. Në atë kohë, nga një universitet u krijuan dy universitete: një shqiptar që operonte jashtë hapësirave dhe përndiqej nga regjimi i atëhershëm dhe një serb që vazhdoi të funksiononte brenda lokaleve zyrtare të Universitetit. Kur u ndanë, të dy universitetet kishin programe identike, vetëm se universiteti shqiptar nuk kishte program të gjuhës serbo-kroate, ndërsa universiteti serb nuk kishte program të gjuhës shqipe. Prej vitit 1991, shqiptarët u përcaktuan që të mos e mësojnë më gjuhën serbo-kroate, ndërsa, dorën në zemër, serbët ishin përcaktuar më herët të mos e mësojnë gjuhën shqipe.

Refuzimi për të mësuar gjuhën e tjetrit ishte pjesë e identitetit kombëtar të secilës palë. Thjeshtë, konsiderohej jopatriotike që një shqiptar ta mësonte sërbishten ose që një serb ta mësonte shqipen. Dëmi kolateral i këtij tregimi ishte programi i gjuhës ruse në pjesën shqiptare të Universitetit të Prishtinës, i cili pas 2-3 vjetësh u shua, pasi askush nuk dëshironte ta mësojë gjuhën e shtetit që përkrahte Serbinë. Dhe, kështu përfundoi historia e librave në gjuhën ruse.

Periudha e pasluftës solli një distancim edhe më të madh në mes të shqiptarëve dhe serbëve, sa që edhe njerëzit që e dinin gjuhën e tjetrit preferonin komunikimin në gjuhën angleze. Për këto 19 vjet nuk ka pasur asnjë nismë serioze që të rinjtë në Kosovë ta mësojnë gjuhën e tjetrit. Si rregull, ata shqiptarë që dinë serbisht ose ata serbë që dinë shqip nuk mund të jenë më të rinj se 32 vjet. Nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë kam kuptuar se vetëm 2.1% e të rinjve joserbë të moshës 22-26 vjeç deklarojnë se e njohin gjuhën serbe, ndërsa tek personat e moshës 27-31 vjeç kjo përqindje është 5%. Ndërkohë, gjuhën angleze nga grupmosha 22-26 vjeç e njohin 40.7%, ndërsa nga grupmosha 27-31 vjeç – 36.4% e qytetarëve.

Pra, po vinë gjenerata të reja që shumë pak e njohin gjuhën e tjetrit, por e njohin gjuhën angleze, edhe pse për cilësinë e njohjes mund të diskutohet.  Pas 27 vjet ndërprerje në komunikim do të jetë shumë vështirë që njohja e gjuhës së tjetrit të jetë në nivelin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar. Kuptohet, kjo nuk do të thot se duhet hequr dorë nga nxitja e të rinjve për të mësuar gjuhën e mjedisit. Tekefundit, është një rekomandim i fuqishëm i Bashkimit Evropian që secili duhet të jetë në gjendje t’i flas të paktën dy gjuhë të tjera,  përveç gjuhës amtare.

Më lejoni ta citoj një ekspert të shkëlqyeshëm të arsimit, Dr. Alen Glenn, i cili thot: “Pengesa më e madhe për ndryshimin janë kujtimet tona.” Unë e kuptoj se, si njerëz, si pjesëtarë të komuniteteve të caktuara etnike, i kemi kujtimet dhe paragjykimet tona. Përveç, të ashtuquajturës “krenari kombëtare”, një argument i konsumuar për mosmësimin e gjuhëve ka qenë rreziku nga asimilimi. Në kohën e sotme askush askend nuk mund ta asimilojë. Secili e ka identitetin e vet të formuar dhe rruga drejt së cilës po ecim të gjithë bashkë është globalizmi, që është një lloj asimilimi në botën globale.

Sado që duket e vështirë, si shoqëri, si shtet i ri, duhet të kërkojmë rrugë që qytetarët tonë të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.  Komuniteti shqiptar ka interes ta mësojë gjuhën serbe ose boshnjake pasi jeton në një rajon ku gjuhët sllave fliten në masë të madhe. Argumentim i ngjashëm mund të përdoret edhe për gjuhën turke, e cila ka rreth 90 milionë folës, pa i llogaritur folësit e gjuhëve të familjes së njëjtë. Për komunitetin serb, boshnjak, turk dhe komunitet tjera pakicë të mësuarit e gjuhës shqipe është domosdoshmëri për integrim në shoqëri.

Republika e Kosovës ka interes që të ketë sa më shumë qytetarë bilingualë, pa llogaritur njohjen e gjuhëve botërore. Dhe, kemi përparësinë që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, këto gjuhë mund t’i mësojnë në mjedisin ku ato janë në përdorim të përditshëm. Tekefundit, duhet të mendojmë për kohën kur të gjitha shtetet e Ballkanit do të jenë në Bashkimin Evropian dhe gjuhët tona do të jenë gjuhë zyrtare evropiane.

Në aspektin praktik, ky proces i të mësuarit të gjuhëve të mjedisit mund të fillojë me projekte pilot në mjedise shumëetnike, respektivisht në institucione të arsimit të lartë që ofrojnë programe nga fusha e gjuhësisë. Po ashtu, institucionet shtetërore mund të stimulojnë të mësuarit e gjuhës së mjedisit për zyrtarët e vet. Besoj se me kalimin e kohës, ky proces do të shihet si domosdoshmëri.
 

Prapa